Moti i keq në Elbasan, izolohen zonat e thella. Apel për kujdes nga ngricat

17/01/2016 00:00

Moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin ka shkaktuar tashmë edhe bllokimet e para. Zonat e thella të Librazhdit janë bllokuar prej mbrëmjes së të shtunës, ndërkohë që po punohet për zhbllokimin e rrugëve që çojnë në to. Probleme ka pasur edhe përsa i përket furnizimit me energji elektrike.

Pa energji elektrike mbetën fshatrat e Librazhdit, Stëblevë, Qarrishtë, Lunik, Zgosh, Borovë, Zazbun, Sopot, Dranovicë etj. Gjithashtu edhe një numër i madh fshatrash të Elbasanit dhe Gramshit kanë mbetur pa energji. Drejtoria Rajonale e OSHEE-së bëri të ditur se, është duke u punuar për riparimin e defekteve.

“Vlen të theksohet se deri tani situata është e përballueshme, por ne nuk mund të parashikojmë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Kam parasysh këtu sidomos gjendjen e rrjetit elektrik, është bërë një ndërhyrje shumë e madhe gjatë këtij viti të kaluar dhe shumë linja janë riparuar, por rreziku është ende i lartë dhe ne kemi marrë të gjithë masat. I bëjmë thirrje edhe drejtorisë së OSHEE-së që të shtojë vëmendjen ndaj Bashkisë Librazhd, si në numër punonjësish edhe me materiale, me qëllim që të mos përsëritet situata që kaluam vitin e kaluar. Besoj se edhe drejtoria e përgjithshme e rrugëve ka marrë masa për zhbllokimin e akseve kryesore, që mënyrë që ne më pas të mos lejojmë bllokimin e rrugëve nëpër fshatra”, tha Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë Librazhd.

Akset nacionale në Qarkun e Elbasanit janë të kalueshme, por policia këshillon drejtuesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë, pasi temperaturat e ulëta krijojnë ngrica në segmente të caktuara. Gjithashtu po punohet që edhe zonat malore të mos qëndrojnë për një kohë të gjatë të bllokuara.

Si çdo vit, problemet më të mëdha nga moti i keq shfaqen në Bashkinë e Librazhdit, ku ka zona të thella malore, të cilat qëndrojnë të bllokuara nga dëbora edhe për më shumë se një muaj.

Top Channel