Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati. Kritike në urën e Mifolit dhe në Selenicë

17/01/2016 00:00

Vjosa rrezikon të dalë nga shtati. Aktualisht, niveli i saj i ka kaluar të 5.3 metrat mbi nivelin normal. Prefektura Vlorë njoftoi se do të nisë evakuimin, nëse niveli i saj i kalon të 5.8 metrat. Pika më kritike ngelet ajo e argjinaturës së Mifolit.

Edhe pse e rikonstruktuar pas përmbytjeve të vitit të kaluar, argjinatura e re është 20 cm nën nivelin e asaj të mëparshëm, çfarë e lë të hapur rrezikun e përmbytjeve të reja.

Strukturat vendore i janë drejtuar me anë të një kërkese të posaçme Ministrisë së Ekonomisë dhe Bujqësisë për ndërhyrje të reja. Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës u shpreh se, gjithçka është nën kontroll.

“Situata në Bashkinë e Vlorës deri tani është shumë e mirë. Nuk kemi pasur probleme as në Llogara dhe as në qytetin e Vlorës, ndërkohë që problem mbetet Novosela. Niveli i lumit këto është rritur shumë duke mbërritur në nivelet maksimale. Shpresojmë shumë, nga informacionet që kemi nga qytetet e tjera ku kalon Vjosa, ku niveli është ulur, që edhe këtu te ne të bjerë niveli i këtij lumi. Jemi në një nga pikat më të rrezikshme, ku nga çfarë shohim ka nevojë për ndërhyrje. Nëse mbesim në këto parametra nuk ka asnjë rrezik as për banesat dhe as për tokat. Por nëse niveli i lumit rritet dhe e kalon argjinaturën e bërë së fundi, besoj se rreziku do të jetë shumë i madh”, tha Ardian Musta.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë Vlorë, Ardian Musta, problem mund të përbëjnë prurjet që vijnë nga Greqia, ku reshjet vijojnë të jenë me intensitet të lartë. E rënduar duket situata edhe në Bashkinë e Selenicës. Vjosa ka vërshuar në toka bujqësore, ndërsa rrezikon nënstacionin e pompimit të ujit të pijshëm. Deri tani, 150 hektarë gjenden nën ujë.

Top Channel