Mustafa përkujton veprimtarët e shquar, 34 vite pas vrasjes

17/01/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar veprimtarët e shquar të lirisë së vendit, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, në 34-vjetorin e vrasjes së tyre nga regjimi ish-jugosllav.

Përmes një komunikate për mediat, kryeministri Mustafa thekson se, Jusuf Gërvalla ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, që me dijet e gjithanshme, vizionin politik dhe vendosmërinë atdhetare, së bashku me Bardhoshin dhe Kadri Zekën, me përkushtim të pashoq, arritën të rrisnin nivelin e organizimit dhe unifikimit të veprimtarëve shqiptarë në kuadër të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.

“Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij pati ndikim vendimtar në dinamizmin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav, duke mobilizuar elitën intelektuale dhe masat e gjera të popullsisë, dhe duke rritur besimin në triumfin e pashmangshëm të vullnetit të popullit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Më tej kryeministri Isa Mustafa thotë se, vrasja e Jusufit, Kadrisë dhe Bardhoshit më 17 janar 1982, ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por ata u shndërruan në prijës shpirtërorë të kauzës për lirinë e Kosovës, duke shtruar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.

Top Channel