Programi i PD: Në qendër ekonomia, punësimi, rend e luftë ndaj korrupsionit

17/01/2016 00:00

Me anë të një deklarate për shtyp Partia Demokratike ka bërë të ditur se ka përfunduar fazën e parë të hartimit të programit, sipas të cilës është një ofertë për shqiptarët që parashikon zhvillim ekonomik, lehtësi fiskale, punësim, stimuj ekonomik, zhvillim të bujqësisë, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë.

“Taksat e ulëta, zbritje e TVSH në nivelin 15 përqind, futja e taksës së sheshtë më të ulën në Ballkan në nivelin 9 përqind, janë disa nga pikat e platformës, që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më atraktiv të rajonit për investime. Prioritet do të jetë po ashtu zbatimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit”, shkruan PD.

Partia Demokratike thotë se deri në fund të muajit janar, do të bëhet edhe konsultimi final me specialistë të fushës, për t’i pasuruar më tej këto dokumente me ekspertizën dhe idetë më të mira.
Në muajin shkurt, programi i secilit prej 22 departamenteve do t’i nënshtrohet diskutimit të hapur me grupet e interesit, në funksion të përmirësimit dhe përfshirjes së çdo opinioni të vlefshëm. Pas kësaj, në muajin mars, programet e departamenteve sipas fushave që mbulojnë, që janë dhe alternativa e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme, do të bëhen publike.

“Puna e hartimit të programeve për secilin departament, ka nisur prej 4 muajsh. Ekspertët më të mirë të fushës, bashkë me drejtuesit politikë të departamenteve kanë dhënë kontributin e tyre për të hartuar alternativën që ofron zgjidhjet më të mira për secilin sektor të jetës”.

Më tej në deklaratën e lëshuar nga Partia Demokratike thuhet se këto platforma janë një projekt i detajuar dhe i plotë në ekonomi, rend, siguri, shteti i së drejtës, bujqësi, turizëm, infrastrukturë, e shumë fusha të tjera, janë zgjidhje për daljen nga kriza.

“Projektet e detajuara, që sjellin punësim e zhvillim, do të prezantohen si në rastin e prezantimit të platformës së taksave të Partisë Demokratike, një muaj më parë”, mbyllet deklarata e PD.

Top Channel