Vështirësitë nga bora, disa akse të kalueshme vetëm me zinxhirë

17/01/2016 00:00

I gjithë vendi është i mbërthyer nga i ftohti, reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta. Problemet kanë qenë gjatë natës në pjesën më të madhe të vendit.

Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar gjithë Veriun, Verilindjen, Juglindjen e vendit, por edhe shumë zona të tjera në të gjithë Shqipërinë.

Raportohet se në disa zona të thella, trashësia e borës arrin deri në 1 metër. Si pasoje, ka pasur probleme te shumta ne disa akse kryesore rrugore, ku është dashur ndërhyrja e mjeteve borëpastruese, për të normalizuar qarkullimin e automjeteve, të cilat janë të detyruara të udhëtojnë me zinxhirë, për shkak të pranisë së akullit në rrugë.

Në këto momente raportohet se në pjesën më të madhe të territorit, reshjet e borës kanë pushuar ose janë në nivele shumë të ulëta, por pritet që në orët në vijim temperaturat të ulen akoma më shumë, çka mund të sjellë prani më të madhe të ngricave në të gjithë territorin e vendit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, në njoftimin e orës 19:00 thotë se  të gjitha akset janë të kalueshme, pavarësisht se në disa zona ka prani akulli dhe rënie masivesh guri.

Ndërkaq, bëhet e ditur se probleme ka pasur dhe me furnizimin me energji elektrike. Sipas OSHEE, në buletinin e fundit të shpërndarë për mediat, raportohet se aktualisht janë vetëm 5 fidra pa energji, ndërsa në terren janë 1867 punonjës. Zonat pa energji elektrike, sipas OSHEE janë disa fshatra dhe komuna në Burrel, në Kukës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Berat, Vlorë e Tiranë.

Top Channel