Lumi Shkumbin ka ndryshuar grykëderdhjen. Për pak minuta dhjetëra banesa në   fshatin Çermë e Sipërme të Lushnjës u përmbytën. Shtëpia e Flamur Jancarit është më e rrezikuara. Ajo ndodhet brenda argjinaturës së lumit që këtë herë nuk u kursye me zemërimin e tij.

Para dhjetë vitesh, Flamuri dhe tre vëllezërit e tij, morën vendimin për t’u larguar nga fshati Kazije i Peqinit. 35-vjeçari na tregon se aty nuk kishin asgjë, as tokë, as shkollë për fëmijët dhe energjia elektrike mungonte për ditë të tëra.

Me paratë e fituara nga kurbeti katër djemtë ndërtuan këtë shtëpi, ku u martuan dhe lindën fëmijët e tyre. Por, tani ata nuk kanë më asgjë. Shtëpia është e rrethuar nga uji dhe balta që solli lumi ndodhet ende brenda shtëpisë së tyre.

Lumi është kthyer në makthin e burrave të shtëpisë të cilët qëndrojnë zgjuar në pritje të ardhjes së tij. Dimri ka nisur të trokasë dhe në këtë shtëpi nuk ka më asgjë. Uji ka shkatërruar çdo gjë.

Flora është 33-vjeç dhe është nënë e pesë fëmijëve që atë natë flinin në katin e parë të shtëpisë. Ata kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të ndihmohen për t’i shpëtuar urisë dhe të ftohtit.

Top Channel