Nis Australian Open, fitore të lehta për Williams dhe Djokovic

18/01/2016 11:00

Serena Williams dhe Novak Djokovic e nisën me fitore të lehta mbrojtjen e titullit në Australian Open.

Tenistja amerikane, e cila rikthehej në fushat e lojës pas 4 muajsh, mundi në raundin e parë italianen Camilla Giorgi me rezultatin 2-0. Numri 1 i renditjes WTA u shfaq në një formë shumë të mirë dhe problemet që kishte në gju ishin eliminuar. Në setin e parë, Williams u shkëput në 4-1, për ta mbyllur atë me rezultatin 6-4. Në setin e dytë, Giorgi u përpoq t’i rezistonte lojës së tenistes 34-vjeçare dhe ia arriti deri në momentin kur rezultati në këtë fraksion shkoi në 5-5. Serena Williams fitoi 2 “game”-t e fundit për të mbyllur setin e dytë 7-5.

Në kampin e meshkujve, Novak Djokovic vazhdon të mos tregojë asnjë mëshirë për kundërshtarët e tij. Tenisti serb mposhti në raundin e parë koreano-jugorin Chung Hyeon me rezultatin 3-0. Djokovicit iu deshën vetëm 1 orë e 55 minuta lojë për të mbyllur në favor të tij këtë takim dhe për të siguruar një vend për në raundin e dytë.

Chung Hyeon gjatë kësaj ndeshjeje tregoi disa aftësi të tij, sidomos në setin e parë, por pa qenë në gjendje që të përballonte lojën e numrit 1 të renditjes ATP.

Me lehtësi u kualifikua në raundin e dytë edhe Roger Federer, i cili mposhti Basilashvilin 3-0 me sete (6-2, 6-1 dhe 6-2).

Top Channel