Mbyllen minierat, rënia e çmimeve në tregjet e huaja dëmton industrinë

18/01/2016 11:30

Përfaqësues të bizneseve që veprojnë në sektorin minerar thonë se ulja e çmimeve ndërkombëtare të mineraleve po dërrmon industrinë vendase. Kjo ka çuar në mbylljen e disa minierave në vend, mes tyre edhe një prej më të mëdhave të bakrit, në Munellë të Pukës.

“Nuk kryhet asnjë shpim kërkim-zbulimi, miniera të rëndësishme në bakër, krom dhe të tjera po mbyllen. Është mbyllur Beralbi për një vit, që është minierë e madhe bakri në vend, si dhe të tjera të vogla të kromit, hekur-nikelit, prej nga nuk eksportohet gjë fare”, deklaroi Përparim Alikaj, nga Shoqata e Investitorëve të Huaj.

Përfaqësues të sektorit minerar u takuan me ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, të cilit i kërkuan ndërhyrjen e shtetit për të mos lejuar rrënimin e mëtejshëm të industrisë, çka do të sillte pasoja ndër të tjera edhe në punësim.

“Renta jo vetëm është e lartë, por formula nuk është e duhura. Me këtë formulë renta rritet nga 4 për qind që duhet të jetë, në 8 edhe 10 për qind për produkte të caktuara. Ajo nuk duhet llogaritur mbi bazën e çmimeve të referencës, por çmimeve aktuale, shpenzimeve që kemi tani”, nënvizoi Alikaj.

Nga ana e tij, ministri Gjiknuri tha se pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga bizneset, qeveria mund të dalë me një paketë nxitëse për sektorin minerar.

“Duam të marrim disa iniciativa që t’ju vijmë në ndihmë, por pa dëmtuar interesat e shtetit. Të shohim edhe të ardhurat për publikun, të ardhurat fiskale, të ardhurat për shtetin”, tha Gjiknuri.

Në vitin 2013, çmimi i bakrit ishte 6.500 $ për ton, ndërsa aktualisht ka rënë në 4.300 $ për ton. Në të tilla nivele, rënie është edhe kromi, hekur nikeli, etj.

Top Channel