Napoli i ofron rinovimin goleadorit Higuain

18/01/2016 00:00

Gonzalo Higuain po jeton një moment të artë në Serinë A. Sulmuesi argjentinas me golat e tij po bën që Napoli të jetojë një ëndërr nga e cila nuk dëshiron të zgjohet.

Skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri është kryesuese e kampionatit italian, ndërkohë që Higuain është në kuotën e 20 golave të shënuar në 20 ndeshje, duke vënë në shënjestër rekordin e Nordhal me 35.
 
Duke parë këtë formë, presidenti i Napolit, De Laurentis ka filluar të mendojë për zgjatjen e kontratës së Higuain. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja italiane “La Repubblica”, tashmë bisedimet mes palëve në lidhje me këtë çështje kanë nisur.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, De Laurentis kërkon që Higuain të rinovojë deri në vitin 2019, ndërkohë që ai po mendon të rrisë edhe klauzolën e zgjidhjes së saj, nga 94 milionë në 100 milionë euro, lëvizje kjo që frenon Bajernin e Mynihut në tentativën për të sjellë sulmuesin argjentinas në Bavari.

Top Channel