Basha: Kryefjala jonë, reforma. Rama nuk e do konsensusin

18/01/2016 13:35

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Lulzim Basha renditi në krye të prioriteteve të opozitës reformën në drejtësi, por, siç thotë ai, me një dallim thelbësor me kryeministrin Edi Rama, tek i cili, kreu i PD sheh vetëm vullnetin e pandryshueshëm të kapjes së çdo pushteti, përfshirë drejtësinë.

“Edi Rama po sharton vullnetin amerikan me hilet e panumërta për kapjen e drejtësisë. Ne e dimë se Edi Rama e urren konsensusin, por do të investohemi deri në fund për konsnesus sipas parimeve të Venecias. Konsensusi zhbën pazaret e Vilës 31. Konsensusi që kërkon Venecia e shpëton drjetësinë. Drejtësia e pakapur do të ishte problem i madh për beqajt, tahirët, kokëdhimat, ahmetajt, gjiknurët dhe për vetë kreun e bandës”, deklaroi Basha në mbledhjen e grupit.

Kreu i opozitës përsëriti disa herë nevojën për konsensus, por megjithëse përshëndeti qëndrimin LSI-së për reformën në drejtësi, u kujdes të mbante distancën e duhur, përsa kohë LSI-ja është pjesë e qeverisë.

“Rama dhe Meta kanë treguar se i bëjnë numrat në çast sapo u bashkohen interesat. Ne nuk varemi nga humori i tyre. Ne kemi zgjedhur konsensusin rreth Venecias. Ne e përshëndesim qëndrimin e LSI dhe do të donim që PS të vinte tek i njëjti qëndrim: të punojmë së bashku për reformat e mëdha”, theksoi Basha.

Në mbledhjen me grupin parlamentar, Basha nuk foli për protesta si pjesë të aksionit opozitar, por për diskutimin e programit qeverisës rreth muajit shkurt, duke mos ndryshuar objektivin: krijimin e qeverisë teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Përsa i takon zgjedhjeve, PD do të konkurrojë përballë dyshes Rama-Meta. Rama-Meta janë qeveria, në jemi opozita. Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia e vlerave europiane”, u shpreh Basha. 

Top Channel