Barcelona, Messi mungon ndaj Bilbaos në Kupën e Mbretit

18/01/2016 00:00

Lionel Messi nuk do të mund të luajë në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Mbretit, kundër Athletic Bilbao. Sulmuesi argjentinas, i cili u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë të sfidës së kampionatit ndaj skuadrës baske për probleme fizike, iu nënshtrua testeve mjekësore për shkallën e dëmtimit të tij.

Në një komunikatë për shtyp, klubi katalanas deklaroi se rezultatet e këtyre testeve treguan se Messi nuk ka pësuar dëmtim të rëndë muskular në këmbën e djathtë dhe se bëhet fjalë vetëm për disa shqetësime.

Megjithatë, te Barcelona askush nuk dëshiron të rrezikojë me gjendjen e 28-vjeçarit dhe për këtë arsye stafi teknik vendosi që Messi të mos luajë në mesjavë ndaj Bilbaos në Kupë, ndërkohë që futbollisti është në dyshim edhe për sfidën e fundjavës së ardhshme në La Liga ndaj Malagës, por për këtë të fundit gjithçka do të varet nga mënyra se si do të shkojë riaftësimi i tij.
 
Ndërkaq, Barcelona në ditët e ardhshme do të duhet të bëjë edhe pa shërbimin e Jordi Albës. Mbrojtësi spanjoll pësoi një dëmtim muskular gjatë sfidës me Bilbaon dhe do të qëndrojë jashtë fushave për 10 ditë. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në dispozicion të Luis Enriques për sfidën e Kupës me Athletic dhe atë të kampionatit me Malagën.

Top Channel