MotoGP, Yamaha prezanton motorin e ri

18/01/2016 00:00

Yamaha është skuadra e parë në Botërorin e MotoGP që prezanton motorin e ri në prag të sezonit që do të nisë pas 2 muajsh. Në Barcelonë, ku u bë edhe ky prezantim i Yamaha M1, Jorge Lorenzo dhe Valentino Rossi u shfaqën të ftohtë kundrejt njëri-tjetrit, pavarësisht se i shtrënguan duart mes tyre.

Në këtë ceremoni secili prej pilotëve shprehu synimet për kampionatin e këtij viti.

“Do të kërkoj që në 2016 të jem në nivelet e larta të dy viteve të fundit. Ky është objektivi im, por gjatë sezonit do të shohim nëse do të jem në gjendje të luftoj për titullin apo jo. Për këtë sezon jam përgatitur më mirë se në të kaluarën. Në testet e Sepangut do të kuptoj më mirë nëse do të ndihem mirë me motorin e ri”, tha Rossi.

Lorenzo nga ana e tij deklaroi se shpreson që rivali i tij për titull edhe këtë vit të jetë shoku i tij i skuadrës,Valentino Rossi: “Shpresoj që Rossi të jetë sërish rivali im për titull sepse kjo do të thotë që rivalët tanë do të mbeten pas. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë ne do të vazhdojmë të jemi kompetitivë, duke parë se edhe vitin e kaluar kishim në dispozicion motorë shumë të mirë”.

Top Channel