Korçë, temperaturat – 12 gradë; mësimi me orë të shkurtuara

18/01/2016 15:30

Acari i tre ditëve të fundit e ka kthyer qarkun juglindor në një pistë gjigande akulli duke u shoqëruar edhe me problematika të shumta për qytetarët.

Temperatura që arrijnë minus 12 gradë kanë karakterizuar diten e hënë, ndërsa akujt dhe ngrica në rrugë janë një pengesë që nuk i ndahen banorëve në çdo dimër.

Shqetësimi më i madh mbetet ai i zhvillimit normal të mësimit ku pavarësisht se lënda ngrohëse nuk mungon për shkak të të ftohtit fëmijët e kanë më të vështirë të ndjekin programin ditor çka ka bërë që në disa prej shkollave të lejohet edhe nisja me vonesë e mësimit apo të shkurtohet orari ditor ndërsa pritet që në ditët në vijim këto masa të shtrihen në gjithë shkollat e qarkut.
 
“Nuk kemi ulje të frekuentimit të shkollës nga ana e nxënësve, mësuesit kanë qënë në krye të detyrës, përfshi këtu dhe zonat e thella. Në qarkun e Korçës në asnjë shkollë nuk mungon lënda djegëse, dhe është e siguruar për të gjithë. Mund t’u konfirmoj që të gjitha shkollat kanë zhvilluar proces normal me përjashtime të vogla. Përmend këtu shkolla e Rëmbecit, përkushtet e saj të vështira që ka si shkollë, ka punuar me orë të reduktuaram dhe po kështu dhe shkolla e Sheqerasit që është pika më e ftohtë”, tha Kristaq Grabocka, drejtor i arsimit

Sipas të dhënave nga njësia e qarkullimit rrugor të gjitha akset nacionale janë plotësisht të hapura përveç segmentit Boboshticë- Dardhë ku si pasojë e ngricës janë krijuar shtresa akulli çka e bën të domosdoshëm përdorimin e zinxhirëve. Të gjitha rrugët rurale në pjesën më të madhe të qarkut janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Top Channel