Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni do të mbahen më 24 prill edhe përkundër paralajmërimeve të partisë maqedonase në opozitë, LSDM, se do t’i bojkotojë ato.

Kështu kanë vendosur dy partitë e koalicionit qeveritar në Shkup, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zgjedhjet  i sheh si të vetmen zgjidhje për krizën e thellë politike në vend.

“E vetmja zgjidhje që i jep fund krizës është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe këto zgjedhje do të mbahen më 24 prill të vitit 2016”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së ka thënë se data e votimeve është e përcaktuar me marrëveshjen e 2 qershorit dhe ka ftuar opozitën maqedonase të mos i bojkotojë zgjedhjet.

“Opozita maqedonase nuk duhet ta përjashtojë veten, por duhet të jetë pjesë e procesit, pjesë e dakordimit dhe respektimit të marrëveshjes së arritur. Ne akoma mendojmë që ka hapësirë që të gjithë ata që mendojnë se nuk është datë e qëlluar 24 prilli të reflektojnë dhe të respektojnë marrëveshjen e arritur mes katër partive politike dhe komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Ditë më parë, lideri i partisë maqedonase në opozitë LSDM, Zoran Zaev, kërkoi që të shtyhen zgjedhjet e caktuara për 24 prill, duke thënë se nuk janë përmbushur kushtet për një proces elektoral demokratik.

Top Channel