Euro 2016, bileta edhe për ata që nuk kanë pasaportë shqiptare ose kosovare

18/01/2016 00:00

Një lajm i mirë për tifozët shqiptarë të cilët, edhe pse kanë dëshirë, për arsye të ndryshme ende nuk kanë arritur të sigurojnë një biletë për njërën prej tre ndeshjeve të Shqipërisë në Euro 2016.

UEFA ka hapur aplikimet për biletat për “publikun e përgjithshëm” që do të thotë se është një lajm i mirë për ata shqiptarë të cilët nuk kanë një pasaportë shqiptare ose kosovare, që ishin dy dokumentat e vetme të pranueshme për aplikimin si tifoz i Shqipërisë.

Kjo për shkak se tani ju mund të aplikoni për cilindo ndeshje, pavarësisht shtetësisë, deri më 1 shkurt në faqen zyrtare të UEFA-s në sesionin për EURO 2016 dhe për biletat, ndërsa jo më larg se data 29 e po këtij muaji, ju do të merrni konfrimin nëse është pranuar apo jo kërkesa juaj.

UEFA ka nxjerrë në shitje 1 milion bileta për këtë fazë aplikimi, që përbëjnë edhe 42% të totalit të përgjithshëm të biletave për këtë kompeticion.

Ndërkohë, është mbyllur faza e parë e aplikimit, ajo për ndeshjet e përfaqësuesve specifike, ku u vunë në dispozicion të tifozëve rreth 800 mijë bileta.

UEFA deklaroi se për 800 mijë bileta nga tifozët e 24 përfaqësuesve që do të marrin pjesë në Euro 2016, kanë aplikuar rreth 3.5 milionë vetë nga 189 vende të ndryshme

Më së shumti kërkesa ka pasur për ndeshjen Gjermani-Poloni, Irland-Suedi dhe Portugali-Austri. Ndërkohë, më së shumti aplikime për bileta ka pasur nga tifozët e Polonisë, Francës, Austrisë, Iralndës dhe Zvicrës.

Top Channel