Abu Dhabi, Jahjaga merr pjesë në “Javën e energjisë së qëndrueshme”

18/01/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në hapjen e “Javës së energjisë së qëndrueshme” në Abu Dhabi, të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Presidentja Jahjaga, në takimin me Princin e kurorës, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, bisedoi për bashkëpunimin e Kosovës me Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e ekonomisë.

Me këtë rast, ajo theksoi se Kosova ka tashmë infrastrukturën ligjore për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Për më tepër Presidentja tha se, dy marrëveshjet ndërkombëtare me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ligji për investimet strategjike do të ndihmojnë edhe më shumë në ndërtimin e partneritetit të qëndrueshëm midis vendeve.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Princin për donacionin e dhënë për ndërtimin e Spitalit të Fëmijëve në Prishtinë, ndërtimi i të cilit do të fillojë së shpejti.

Princi i kurorës, Mohammed bin Zayed Al Nahyan e falënderoi Presidenten Jahjaga për pjesëmarrjen në hapjen e “Javës së energjisë së qëndrueshme” në Abu Dhabi, si dhe theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe e konsiderojnë Republikën e Kosovës partnere të rëndësishme ekonomike.

Në kuadër të këtij organizimi, Presidentja Jahjaga u takua gjithashtu edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon; homologun e Islandës, Olafur Ragnar Grimsson; atë të Nigerisë, Mohammed Buhari; kryeministrin e Marokut, Abdelilah Benkirane; si dhe Presidentin e Seychelles, James Michael.

Në takimin me kryeministrin e Marokut dhe homologun e ishujve Seychelles, Presidentja Jahjaga diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit dhe kërkoi njohjen e Kosovës nga këto shtete.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel