Kosovë, konferencë për rreziqet nga krimet kibernetike

18/01/2016 00:00

Rreziku nga krimet kibernetike dhe siguria e të dhënave në internet kanë shtyrë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, që të organizojë një konferencë ndërkombëtare dyditore, bashkë me Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore, ku po marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, kompani dhe ekspertë të fushës.

Në këtë konferencë me titull “Siguria kibernetike dhe privatësia”, të hënën u diskutua për rreziqet që paraqesin krimet kibernetike dhe masat që duhet të ndërmarrin shteti dhe institucionet kompetente për mbrojtjen nga këto krime, si dhe siguria që mbron privatësinë e përdoruesve të teknologjisë informative.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci tha se, në vitin 2015 është hartuar strategjia kombëtare për rritjen e sigurisë kibernetike, ndërsa – sipas tij, – kjo fushë kërkon trajtim nga ekspertë të kësaj fushe, në mënyrë që Kosova dhe institucionet financiare të mbrohen nga krimet kibernetike dhe të kenë siguri në privatësi.

Sa u përket rreziqeve që mbart kjo fushë, Stavileci tha se, ministria që ai drejton, së bashku me Ministrinë e Brendshme, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bankën Botërore dhe hulumtues të Universitetit të Oksfordit, respektivisht Qendrën Kibernetike, janë duke punuar një raport unifikues për sigurinë kibernetike, i cili do të japë rekomandime dhe orientime njëkohësisht, e që do të jetë embrioni i strategjisë së re për mbrojtjen kibernetike.

Ndërsa Bedri Hamza, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës tha se, gjendja e teknologjisë është avancuar dhe rrezikshmëria është rritur në këtë fushë. Ai tha se, Banka Qendrore nxit sigurinë kibernetike dhe sanksionon krimet e kësaj natyre në institucionet financiare.

Top Channel