Presidenti grek, në Berlin për “refugjatët, borxhin dhe kredinë e luftës”

18/01/2016 00:00

Në takimin me homologun e tij gjerman, Joachim Gauck, në kuadrin e një vizite zyrtare në Berlin, Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos është përqëndruar te kriza e refugjatëve, shqetësim i të gjitha shteteve të BE-së, ndërkohë që ka theksuar se Greqia e sheh Gjermaninë si një vend mik dhe si një forcë që mund të kontribuojë në nje masë të madhe në mbarëvajtjen e Europës.

Pasi ka vlerësuar kontributin e Kancelares Merkel, Pavlopoulos ka theksuar se kufijtë e Greqisë janë edhe kufij europianë dhe, përveç rolit të forcave greke, e rëndësishme është edhe ndihma e partnerëve, ndërsa Turqia – nga ana e saj, – ende nuk po zbaton premtimin ndaj BE-së për ndalimin e valës së emigrantëve.

“Është e rëndësishme të theksojmë diçka për Turqinë, e cila me të drejtë është implikuar në këtë çështje. Ajo duhet të përmbushë angazhimet e saj, të cilat përcaktojnë edhe mënyrat sesi fluksi i emigranteve vjen drejt Europës, por gjithashtu edhe diferencimin midis emigrantëve të paligjshëm dhe refugjatëve të luftës”, tha Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos.

“Grekët, që janë tensionuar nga kriza e refugjatëve, duhet të mbajnë një barrë të dyfishtë, pasi populli duhet të përballet edhe me sfida të veçanta për shkak të reformave që po kalon vendi. Nuk është e mundur të mbajë këtë barrë të dyfishtë, pa solidaritetin e BE-së”, tha Joachim Gauck, President i Gjermanisë.

Pavlopoulos ka falënderuar gjithashtu Berlinin zyrtar dhe homologun e tij gjerman në çështjen e krizës së borxhit, duke theksuar rolin e madh të Gjermanisë që Greqia të mbetej në Europë dhe në Eurozonë. Por, në mënyrë diplomatike, i ka shprehur përsëri homologut Gauck, kërkesën e Athinës për kthimin e kredisë së pushtimit, që Gjermania i ka marrë Greqisë në Luftën e Dytë Botërore, kërkesë që do të shqyrtohet – siç ka theksuar – gjithnjë në mënyrë dypalëshe dhe sipas të drejtës ndërkombëtare.

Me të njëtën axhendë bisedimesh, duke u fokusuar te kriza e refugjatëve, Presidenti grek ka vizituar më pas edhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilën një ditë më parë, në intervistën për “Sueddeutsche Zeitung”, e kishte quajtur një politikane të madhe.

Vlen të përmendet se para vizitës dyditore në Gjermani, që përfundon me takimin në Frankfurt me kreun e BQE-së, Mario Draghi, Presidenti grek ka kaluar nga Moska, i ftuar në një forum të Akademisë Kombëtare të Ekonomisë, para punimeve të të cilit është takuar edhe me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Top Channel