Maqedonia, Hahn thekson: E rëndësishme, që zgjedhjet të jenë me standarde

18/01/2016 00:00

Me t’u kthyer nga Maqedonia, Komisioneri Johannes Hahn tregoi se në tryezën me 4 forcat politike kryesore vendase, mes të cilave dhe dy partitë shqiptare, ishte përmendur mundësia për shtyrjen e datës së pajtuar për zgjedhjet e parakohshme, nga 24 prilli më 5 qershor.

Por përtej datës, ai theksoi se organizimi i ndershëm i procesit elektoral është i rëndësishëm për të kthyer besimin e 28 vendeve anëtare te Shkupi, për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

“Kjo ishte pjesë e negociatave tona të premten. Ishte njëra prej datave dhe çështja shtrohej, nëse do të kishte apo jo shtyrje të mbajtjes së zgjedhjeve. Për mua, e rëndësishme është që të garantohet se zgjedhjet, me shumë gjasë do të jenë të mirorganizuara, të ndershme, transparente dhe në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare. Kam bërë gjithçka për të garantuar vëzhgimin e duhur dhe ODIHR do të dërgojë 300 vëzhgues për ditën zgjedhore dhe 24 vëzhgues afatgjatë për këtë vend të vogël, krahasuar me Turqinë, ku u nisën 30 të tillë. Është e rëndësishme, që zgjedhjet të mbahen sipas standardeve tona, në mënyrë që të fitohet besimi për vendin, gjë mjaft e rëndësishme për të bindur vendet anëtare për të nisur negociatat e anëtarësimit”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Fqinjësinë europiane dhe negociatat e Zgjerimit.

Kjo deklaratë e komisionerit erdhi edhe pas takimit informal të “Miqve të Maqedonisë”, të organizuar nga kryediplomatët e Austrisë dhe Hungarisë, me pjesëmarrjen e disa ministrave europianë dhe dy përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, Fatmir Besimi dhe Nikola Popovski.

Maqedonia gëzon statusin e “vendit kandidat” prej vitit 2005, teksa Komisioni rekomandon prej 2009-s çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Pas bllokimit të përsëritur për shkak të emrit, nga Greqia, dhe përkeqësimit të situatës politike brenda vendit, në raportin e fundit të progresit, Komisioni dha një rekomandim të kushtëzuar për Shkupin.

Hahn bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të të ashtuquajturit “raporti Priebe” mbi prioritetet urgjente, që lidhen me Gjyqësorin dhe lirinë e medias, ndërkohë që vendi duhet të fokusohet në zgjidhjen e çështjes së refugjatëve.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel