Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në bote sa vjen edhe thellohet, çka e  ka dëshmuar edhe raporti më i ri i “Oxfam International”. 62 miliarderët më të pasurë kanë më shumë pasuri se gjysma e popullsisë në të gjithë globin.

Ata përbëjnë vetëm 1% të popullsisë, ndërkohë që të ardhurat e tyre janë me shifra marramendëse. Ky raport ka dalë përpara takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror i cili do të mbahet në Davos, duke i bërë thirrje ekspertëve që të gjejnë një zgjidhje për këtë dukuri që ka tendenca negative.

Në të njëjtën kohë kur pasuria e miliarderëve të botës u rrit me 500 miliardë, të ardhurat e gjysmës tjetër të popullsisë kanë rënë me 41% . Për Mark Goldring, shefin ekzekutiv të “Oxfam…” ky fenomen është i papranueshëm.

Shumë nga liderët ndërkombëtarë duke nisur nga ai shpirtëror, Papa Françesku deri tek Christine Lagarde, drejtoreshës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, kanë bërë thirrje për veprime kundër prirjes së pabarazisë, por për “Oxfam” fjalët e tyre nuk janë përkthyer ende në vepra.

Parashikimet tregojnë se ky trend mund të vijojë edhe në vitin 2016. Ndërkohë që Forumi Ekonomik Botëror në Davos do të zhvillohet mes frikës se trazirat që po pësojnë tregjet financiare që prej fillimit të këtij viti, mund të paralajmërojnë fillimin e një faze të re të krizës globale e cila nisi tetë vjet më parë.

“Oxfam” thotë se duhet një veprim i trefishtë në 3 dimensione për të nxjerrë botën nga kjo situatë, e para: Një goditje ndaj evazionit fiskal; e dyta: Investime më të mëdha në shërbimet publike; dhe tre: Rritje të pagave ndaj personave që kanë të ardhura më të ulëta.

Top Channel