Testimi i raketave balistike, SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit

18/01/2016 00:00

Vetëm një ditë pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit për shkak të programit të tij bërthamor, ndër to edhe sanksione të vendosura nga SHBA-të, sikurse edhe nga OKB dhe BE, Amerika ka vendosur të tjera sanksione ndaj Republikës Islamike, këtë herë për shkak të programit të raketave balistike.

Irani i ka denoncuar këto sanksione amerikane si “pa legjitimitet ligjor apo moral”, siç u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Pak ditë më parë, kreu i mbikëqyrësit botëror të çështjeve bërthamore, IAEA, vizitoi Teheranin dhe prej andej deklaroi se Irani kishte përmbushur të gjitha kushtet, sikurse kishte rënë dakord që të përforconte mbashkëpunimin e tij me organizatën në fjalë.

Shefi i IAEA-së, Yukiya Amano u shpreh se kishte zhvilluar “bisedime tepër konstruktive dhe pozitive” me Ali Akbar Salehi, kreun e organizatës bërthamore të Iranit.

Sanksionet e reja të Thesarit amerikan të shtetit u ndalon 11 entiteteve dhe individëve, të lidhur me programin e raketave balistike, të përdorin sistemin bankar amerikan.

Në tetor, Irani kishte testuar një raketë balistike të precizionit të lartë, e aftë të transportonte mbushje bërthamore, në kundërshtim dhe sfidë ndaj kufizimit që i kishte vendosur OKB-ja.

Duke shpallur masën e fundit, Adam J. Szubin, nënsekretari në detyrë për terrorizmin dhe kundërzbulimin financiar, tha se “programi i raketave balistike të Iranit përbën një kërcënim domethënës për sigurinë rajonale dhe globale, ndaj dhe do të vazhdojë të jetë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare”.

Gjithsesi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Hossein Jaber Ansari u shpreh gjatë kësaj të hëne se “programi i raketave balistike të Iranit nuk është ideuar kurrë për të qenë i aftë të transportojë armë bërthamore”. “Sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër këtij programi nuk kanë asnjë legjitimitet ligjor apo moral. Amerika shet dhjetëra miliardë dollarë armatime çdo vit ndaj vendeve në rajon. Këto armatime po përdoren për krime luftë kundër qytetarëve palestinezë, libanezë dhe së fundi edhe jemenas”.

Ministri iranian i Mbrojtjes, Hossein Dehghan deklaroi për agjencinë e lajmeve “Fars” se, sanksionet e reja amerikane nuk do të kenë asnjë efekt. “Do ta provojmë në praktikë, duke publikuar arritjet e reja mbi raketat”.

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara, që miratoi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të tjera botërore, i bën thirrje Teheranit të përmbahet me testimin e raketave, të cilat janë ideuar të transportojnë armë bërthamore.

Sanksionet e reja u njoftuan vetëm pak, pasi një avion që mbante të burgosurit e liruar, kishte lënë Iranin dhe ishte nisur me destinacion SHBA-të. Presidenti amerikan, Barack Obama e lavdëroi marrëveshjen bërthamore si diçka “tepër të zgjuar”. “Edhe njëherë treguam se çfarë është e mundur të arrihet me diplomacinë ndërkombëtare”, tha ai, teksa shtoi se “SHBA-të do të qëndrojnë të palëkundur në kundërshtimin e tyre ndaj sjelljes destabilizuese të Iranit në rajon apo kudo në botë”.

Top Channel