Mediu në 25-vjetorin e themelimit të PR: Të krijohet konfederata e djathtë

18/01/2016 00:00

25 vite më parë u krijua Partia Republikane. Sot pas çerekshekulli, Fatmir Mediu duke bërë një bilanc të këtij rrugëtimi, ka adresuar dy mesazhe. I pari i drejtohet politikës shqiptare.

“Pse ne duhet të kemi një Kuvend përfaqësues të shoqërisë shqiptare ku të përfaqësohet vota e qytetarëve shqiptarë jo deputetë të emëruar, por deputetë të zgjedhur. Deputetë që në radhë të parë kur shkojnë në Kuvendin e Shqipërisë nuk mendojnë se kush është kryetari i tyre i partisë apo kush është partia e tyre, por kush është qytetari që i ka votuar ata. Prandaj është shumë e rëndësishme që të bëjmë një reformë zgjedhore që konkurrimin ta ketë si element bazë”, u shpreh Mediu.

E ndërsa mesazhi i dytë, është ekskluzivisht për aleatin e përhershëm, Partinë Demokratike.

“As vetëm Partia Demokratike, as edhe me Partinë Republikane nuk mund të përfaqësojmë të gjithë të djathtët, e djathta është shumë më tepër se kaq. Ka ardhur koha të ndërtojmë një konfederatë të së djathtës, e cila padyshim do të ketë lidershipin e saj, por padyshim që do të ketë zërin e gjithsecilit”, tha kryetari i PR, Mediu.

Mes dhjetëra të ftuarve, gazetarë, politikanë e njerëz të medias, Partia Republikane nderoi themeluesit e saj duke theksuar se pa punën e tyre, asgjë nuk do ishte e mundur.

E pranishme ishte dhe Anila Godo, vajza e themeluesit të kësaj partie, Sabri Godos, e cila mori dhe medaljen e mirënjohjes të dorëzuar nga kryetari Fatmir Mediu.

Top Channel