Fier, blic kundër shfrytëzimit të prostitucionit, 13 të ndaluar

19/01/2016 08:45

Agjentët e sektorit kundër trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit kanë ekzekutuar në orët e fundit operacionin e koduar “Çesku”, kundër shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas një njoftimi për shtyp, në kuadër të operacionit janë ndaluar 13 vetë, 3 prej të cilëve janë në gjendje arresti, ndërsa të tjerët po procedohen në gjendje të lirë.

Personi kyç në këtë xhiro kriminale ka rezultuar shtetasi Luan Zijaj, 54 vjeç, i cili tashmë akuzohet për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “kontroll të lokaleve për prostitucion”.

Bashkë me të në pranga kanë përfunduar edhe 56-vjeçari Tahir Spahiu, si dhe shtetasja me iniciale N.A, 32 vjeçe, nga fshati Roskovec i Fierit.

Sipas njoftimit, shtetasi Luan Zijaj kontrollonte një seri lokalesh ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm, me tarifa që shkonin deri në 50 mijë lekë.

Mes të ndaluarve janë edhe 6 shtetase që shfrytëzoheshin në aktivitetin në fjalë, si dhe 4 vetë të tjerë, të cilët dyshohen për bashkëpunim në këtë aktivitet kriminal.

Top Channel