Maqedonia me qeveri të re, Dimitriev pason Gruevskin: Zgjedhjet e lira, objektivi ynë

19/01/2016 10:40

Emil Dimitriev do të drejtojë qeverinë kalimtare në Maqedoni, e cila duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit. Kuvendi i Maqedonisë, pak para mesnate, miratoi qeverinë e re me votat e 71 deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, kurse 6 deptuetë të PDSH-së dhe 3 të pavarur abstenuan.

Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Dimitriev u zotua se kabineti i tij do të sigurojë kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Qeveria kalimtare do të vazhojë me punën e filluar për realizimin e një procesi zgjedhor që do të jetë i lirë dhe ndaj të cilit nuk do të ketë dilema për rregullësinë e tij. Detyra jonë është që të organizojmë zgjedhje korrekte dhe demokratike, të lira dhe efikase. Këtë qëllim ne do ta arrijmë”, tha Dimitrev.
Kabineti i kryeministrit të ri Emil Dimitriev përbëhet nga ministrat dhe zv/ministrat e njëjtë që ishin pjesë e qeverisë së Gruevskit.

Zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar i ka paraprirë konstatimi i dorëheqjes së kryeministrit të deritanishëm, Nikolla Gruevski, si dhe vendimi për shpërndarjen e Kuvendit më 24 shkurt, që u votua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së që përbëjnë shumicën në Kuvend.

Deputetët e partisë maqedonase në opozitë LSDM lanë seancën dhe paralajmëruan se do të bojkotojnë zgjedhjet, pasi sipas tyre pushteti nuk ka krijuar kushte për një proces elektoral demokratik.

Top Channel