Skandali i trukimeve në tenis, reagon Federer dhe Murray

19/01/2016 11:25

Skandali i trukimit të ndeshjeve që shpërtheu orët e fundit është një temë diskutimi mes tenistëve pjesëmarrës në Australian Open. Pas deklaratës së fortë të Djokovic, kanë reaguar dy emra të tjerë të mëdhenj të këtij sporti, Andy Murray dhe Roger Federer.

Tenisti britanik deklaroi se ajo që duhet bërë nga institucionet drejtuese të kësaj disipline sportive është që të marrë masa për të vënë në dijeni tenistët më të rinj në lidhje me këtë fenomen.

“Nuk e di nëse kjo është e nevojshme, por ndoshta është diçka e mirë për lojtarët e rinj. Mendoj se në tenis duhet bërë një punë më e mirë sikur të shpjegohen gjërat. Nuk duhet që gjëra të tilla të mësohen nëpërmjet medias, duhet që të gjithë te jemi aktivë në këtë pikë dhe të flasim me lojtarët përpara se ata të lexojnë gazetat. Është mirë që të rinjtë të mësojnë më shumë në çështje të tilla”, tha Murray.

Ndërsa Roger Federer deklaroi se është më mirë që të publikohen emrat e atyre që janë përfshirë në këtë histori.

“Do të më pëlqente të dija emrat e atyre që janë në këtë skandal. Duhet të publikohen gjëra konkrete për të hapur një debat të tillë. Është e pakuptimtë që të përgjigjesh për diçka që mund të jetë vetëm spekulim. Është shumë e rëndësishme që të ruhet integriteti i këtij sporti”, deklaroi Federer.

Top Channel