Pezullimi i lëvizjes së lirë, Sllovenia e gatshme të vendosë kontrollet

19/01/2016 00:00

Nëse Austria dhe Gjermania vendosin të kufizojnë vërtet numrin e emigrantëve të pranuar, Sllovenia është e gatshme të adoptojë masa të ngjashme, përfshirë pezullimin e Shengenit dhe rivendosjen e kontrollit të pasaportave në kufijtë e saj.

Deklarata e qeverisë në Ljubjanë erdhi pas vendimit të kancelarit austriak Werner Faymann për rikthimin e kontrolleve në kufijtë e vendit të tij e pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë. Kur lëvizja e Faymannit të hyjë në fuqi, Sllovenia do të bëjë të njëjtën gjë me qëllim frenimin e fluksit të emigrantëve nga Kroacia fqinje.

Në rastin kur interesat tona kombëtare vihen në rrezik për shkak të veprimeve të njënanshme të shteteve të tjera, jemi plotësisht të gatshëm të ndërmarrim hapa konkrete në kufi, thuhet në deklaratën jo dhe aq të papritur të Ljubjanës, të rreshtuar që në fillim të krizës së refugjatëve në krah të vendeve që e shohin me skepticizëm politikën e dyerve të hapura për refugjatët, sidomos ata muslimanë.

Norvegjia, Suedia e Danimarka i kanë rikthyer tashmë kontrollet kufitare, Gjermania, Franca e Malta e mendojnë një gjë të tillë e Italia po ashtu, e pohuar kjo nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Natasha Bertaud.

Pak dite me parë, presidenti i tij Jean Claude Juncker paralajmëroi se fundi i Shengenit do të shkatërronte euron. Kolapsi i lëvizjes së lirë në mesin e krizës së refugjatëve po rrezikon sipas tij tregun e përbashkët të bllokut, ndërsa pohoi se një zgjidhje afatgjatë për ngërçin e emigrantëve, BE-ja nuk e ka gjetur akoma.

Top Channel