PD, tjetër denoncim për Ilir Beqajn: Mashtroi me rimbursimet

19/01/2016 12:20

Për Partinë Demokratike, shëndetësia është sektori ku vidhet më shumë dhe ministri Ilir Beqaj, është kampioni i korrupsionit qeveritar.

Deputetja Albana Vokshi, doli para mediave dhe duke cituar një raport të KLSH-së, akuzoi ministrin Beqaj për një dëm prej milionë lekësh shkaktuar buxhetit të shtetit.

“Vendimet për paketat e kontrollit mjekësor nuk janë diskutuar, por janë miratuar me urdhër gojor të Ilir Beqajt. Po ashtu edhe për trajtimet mjekësore jashtë vendit, rimbursimi është bërë në kundërshtim me vendimin e qeverisë për pagesat e trajtimeve jashtë vendit. Janë gjetur më shumë se 90 mln lekë të dhëna në klinika për trajtime që nuk janë kryer, apo që janë kryer në spitale brenda vendit, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave. Janë mbi 60 mln lekë rimbursime për trajtime të mëparshme që nuk parashikohen në vendimin e qeverisë. Gjatë pagesave, konstaton KLSH, u gjetën edhe raste rimbursimesh për persona që nuk jetojnë më. Pra nuk janë kursyer as të vdekurit”, deklaroi deputetja demokrate.

Sipas opozitës, ministri i Shëndetësisë pranoi se miku dhe klienti i tij i ndjekur penalisht dhe që i ka ndërprerë kontratën, vazhdon t’i japë miliona lekë në tendera barnash spitalore.

Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria që të hetojë pa humbur kohë denoncimet e saj.

“Dosja është në organin e akuzës dhe nuk duhet të ketë më zvarritje për të mbyllur këtë veprimtari kriminale nga kampioni i korrupsionit, Ilir Beqaj”, tha Vokshi.

Top Channel