Reforma, si brendi e re poshtërsie

19/01/2016 00:00

Aleksandër Çipa – Reforma në drejtësi është thjesht një alibi dhe, sipas të gjitha mundësive, një projekt për kohë të pacaktuar poshtërsish. Reformën nuk mund ta realizojnë grupet apo protagonistët në konflikt interesi. Udhëheqësia politike e këtij vendi që gjatë 25 viteve të fundit ka qenë aktore e rrotacioneve qeverisëse, nuk mund ta zhbëjë “zotësinë” dhe pushtetin e vet papritur.

Pushteti i kësaj kaste mbi pushtetet nuk është thjesht një koniunkturë, por arritje që i vlen për më tej dhe për sundim. Në këtë vend, dy alibitë më shpesh të përdorura janë ajo e pretendimeve për reforma (ndërsa zgjatet tranzicioni dhe stanjacioni), si dhe akuza si pistë e shembjes populiste të imazhit dhe vetë kundërshtarit politik.

Të dyja këto alibi janë përdorur majtas-djathtas me gjithë kapacitetin dhe protagonizmin e mundshëm. Ato na kanë vërtitur nga një shpresë tek një zhgënjim dhe nga një zhgënjim tek një rilodhje tjetër. Në këtë cikël po e konsumojmë kohën postkomuniste të quajtur tranzicion, por të lënë në brendi të tmerrshme stanjacioni. Këtë përshkrim dhe shpresë e ka përdorur klasa politike e vendit duke e mbajtur qëllimisht republikën tonë në një status të ambicies për anëtarësim në familjen europiane dhe një vonesë të pakohë për ta arritur atë.

Ditët e fundit, ambicia dhe debatet për reformën në drejtësi janë thelb i përsëritur i këtij stanjacioni që mekanizmin e dështimit e shet dhe përdor si betejë mes palësh për reformim. Aktorë të një loje të vjetër në pozicione të reja. Djallëzia në gjithë kapacitetin e vet po bën politikë me këtë çështje jetike për vendin dhe sidomos shoqërinë. Shumë aktorë imponues kanë heshtur ose po ikin nga roli i tyre jetik në përditshmërinë e kësaj shoqërie.

Si për shembull, zërat dhe emrat e njohur të jurisprudencës dhe të kontributit profesional brenda dhe jashtë Shqipërisë. Juristët tek ne, heshtin thellë kur arrihet piku i debatit dhe diskutimit për reformën në drejtësi. Vallë është tërheqje e qëllimshme apo nënshtruese e gjithë kategorisë profesioniste? Apo qëndrimi oportun intelektual për një rezultat të paraditur?! Kjo e fundit ka gjasa të jetë arsye e parë.

Drejtësinë nuk mund ta reformojnë shkelësit dhe të pandehurit e mbetur jashtë burgjeve! Drejtësinë nuk mund ta ndryshojnë për llogari të drejtësisë para ligjit, ata që e përdhosin atë në gjithë format dhe shfaqjet. Pushteti që ka kapur pushtetet, nuk mund t’i dhurojë pushtet, asaj që e ka kapur me kohë! Kjo klasë politike nuk mund të iki prej vetes, ajo nuk mund ta tradhtojë veten. Nëse do të ndodhte diçka e tillë, atëherë do të provohej iluzioni i vetëndëshkimit.

Por si mjeshtër të alibisë dhe gangsterizmit politik, këta aktorë të qeverisjes dhe opozitarizmit në vend, kësaj here po përdorin rishtazi Komisionin e Venecias. Do të ishte mrekulli, nëse ky institucion i konsulencës juridike me ndikim dhe prestigj në botën e konstitucionalizmit europian, do të rikthente një përgjigje më sfidante për tri variantet e përcjella nga grupet partiake të interesit shqiptar, në lidhje me të ashtuquajturën reformë në drejtësi. Një përgjigje specifike sfidante do të nxirrte “lakuriq në sy të Botës”, pikërisht këtë shtirje dhe hipokrizi publike të këtyre aktorëve që sot po riinstalojnë një kapitull shtesë në tranzicionin mizerje të Shqipërisë së sotme.

Në këtë vend, reforma është brendi e re poshtërsie. Bëhet fjalë për një poshtërsi që legjitimon vetveten dhe aktorët protagonistë të saj. Në thelb të së ashtuquajturës reformë është rikompozimi i kapjes vijuese: Kush do ta propozojë dhe ketë nën influencë Prokurorin e Përgjithshëm dhe krerët e gjyqësorit!! Kjo fatkeqësisht është e pashmangshme dhe sipas të gjitha dukjeve, vijuese edhe për një kohë brezash të ardhëm. Ky nuk është thjesht pohim për shkak të lodhjes dhe humbjes së besimit, por për arsye të drejtleximit.

Politika në këtë vend po rikonsumon alibitë e bujshme të cilat herë marrin emrin e “dekriminalizimit” dhe herë atë të së pangjarës dhe së pandodhshmes “reformë në drejtësi”! Për ta lënë në fuqi këtë mizerje, klasa politike dhe “fiset” militantë të palëve po “rrethojnë lirinë e shprehjes”,-siç do të shprehej së fundi shkrimtari Dario Fo.

Ky rrethim në Shqipërinë e këtyre ditëve po ngjet në dy forma vrastare; së pari, prej mediokritetit me mundësi të pafundme shprehjeje dhe komunikimi dhe së dyti, prej lirisë së përbaltjes dhe të patologjisë. Në këtë gjendje aktuale shqiptare, kriza e mosbesimit është më e rëndë se kriza për drejtësi. Mashtrimi për reformën e diskutuar në drejtësi është brendi e re poshtërsie. Le të presim ditët e pësimit tonë të ardhëm.

Top Channel