Totozani në Elbasan: Urat i shembi korrupsioni

19/01/2016 15:10

Avokati i Popullit kërkoi hetim për të gjitha urat e reja të cilat janë shembur gjatë reshjeve të javëve të kaluara. Sipas tij shembja ka ndodhur për shkak të korrupsionit dhe jo kushteve të motit.

Këtë deklaratë Avokati e bëri ndërsa ka parë nga afer urën e Broshkës, Bashkia Peqin, e cila u shemb një javë më parë nga vërshimi i Shkumbinit duke lënë të izoluar më shumë se 5 mijë banorë.

“Sa herë që prishen ura apo rrugë mban era korrupsion. Kjo situatë ngërçi ligjor duhet të marrë fund menjeherë. Janë banorët e zonave, ata që vuajnë pasojat e këtij izolimi absurd”, tha Igli Totozani, Avokat i Popullit.

Avokati i Popullit e cilësoi justifikim mungesën e fondeve për riparimin e dëmeve. Ai tha se se po shkelen të drejtat e njeriut ku mijëra banorë e kanë të pamundur komunikimin me pjesën tjetër të vendit ndërkohë që fëmijëve u është ndërprerë arsimimi.

Top Channel