Masakra me leje në pyje, Koka: Për 8 vjet u shkatërrua 20% e pyjeve

19/01/2016 00:00

Vetëm gjatë viteve 2005 deri në vitin 2013, ministria e Mjedisit ka miratuar dhënien e 2676 lejeve për shfrytëzimin e pyjeve.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka në komisonin e veprimtarive prodhuese, ka theksuar se vetëm moratoriumi mund të frenojë këtë masakër mjedisore, që gjatë dhjetë viteve të fundit ka sjellë zhdukjen e 20 % të sipërfaqeve të gjelbërta.

“Vetëm në 8 vjet janë dhënë 2600 e ca leje shfrytëzimi pyjesh. Të kuptohemi, në 120 ditë pune që ka një administratë shtetërore i binte mesatarja çdo ditë të jepeshin 3 leje për shfrytëzim pyjesh. Në dy vjet janë dhënë 24 leje shfrytëzimi, nga të cilat 9 janë në pyje private”, tha ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
Kreu i ministrisë së Mjedisit Lefter Koka, i akuzuar për dhënien e lejeve për shfrytëzimin e pyjeve pak para miratimit të moratoriumit është përgjigjur për rastin e Kolonjës, dhe zonës së Shelegurit. Koka tha se gjatë viteve të shkuara 80% e pyjeve në këtë qark rezultojnë të jenë pronë private dhe jo e shtetit.

“Ministria e Mjedisit nuk ka dhënë asnjë leje në rrethin e Kolonjës. Janë dhënë ankande për 2014-2015, nuk është bërë asnjë. Pyjet janë 40 mijë totali, 456 janë zonë e mbrojtur. Mbi 80% e pyjeve janë pronë private. Është rasti i parë në një pronë private që jepet leje për ta shfrytëzuar 15%, për ta rralluar”, vijoi Koka.

Dhënia e lejeve për ndërtimin e 435 HEC-eve por edhe të dhjetëra minierave dhe furrave gëlqerore, nuk është shoqëruar me një marrëveshje me ministrin e Mjedisit, e cila i detyron të rimbjellin në zonat që ata kanë shkatërruar.

“Është dhënia e 435 lejeve për ndërtimin e HEC-eve, dhënia për qindra mijëra miniera dhe gurore. Të gjitha këto merreshin për të shfrytëzuar sipërfaqe të caktuara dhe nuk lidhnin marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për tëbërë rehabilitimin e sipërfaqeve të dëmtuara. Kemi shkuar duke i kërkuar në çdo cep të Shqipërisë për të lidhur këtë marrëveshje dhe për të rehabilituar atë që kanë dëmtuar”, tha Koka.

Dhënia e lejes në HEC e Valbonës, për të cilin Koka tha se ka votuar kundër, ka sjellë edhe një debat në komision.

Top Channel