Pezullimi i Shengenit, MPJ: Nuk preket lëvizja e lirë

19/01/2016 15:40

Ajo që u quajt pezullimi i Shengenit, inicuar nga Austria dhe ndjekur më pas edhe nga 6 vende të tjera europiane, nuk është gjë tjetër veçse rikthimi i kontrollit të pasaportës në pikat kufitare të këtyre vendeve.

Ministria e jashtme shqiptare sqaron për “Top Channel” se çfarë do të thotë vendimi i 7 vendeve anëtare të Shengenit, me atë që u quajt pezullim i tij.

“Nuk ka pezullim të lëvizjes së lirë siopas marrëceshjes së ShEngen brenda BE, por ka vendosje të përkohshme të kontrolleve kufitare brenda një vende të kufizuara anëtare, 7 nga 26. Kjo do të thotë që në rast se deri tani fizikisht kufijtë nuk ekzistonin nëse kaloje nga një vend anëtar i zonës Shengen në një vend tjetër anëtar i zonës Shengen, tani vendoset brenda disa vendeve dhe vetëm në disa pika të caktuara kufitare thjesht kontrolli i identitetit”, tha për TCH, Sokol Dedja, përgjegjës i sektorit të institucioneve të BE-së.

Ministria e Jashtme sqaron të gjithë shtetasit shqiptarë se vendimi i Austrisë, Gjermanisë, Francës, Maltës, Norvegjisë, Danimarkës, Suedisë nuk ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së. Ata do të udhetojnë njësoj si deri më sot.

“Nuk ka asnjë lidhje me regjimin e vizave ndaj vendit tonë dhe vendeve të treta. Vizat janë çështje tjetër. Kemi thjesht kontroll të identitetit”, tha Dedja.

Por cila do të jetë procedura që do të ndjekin qytetarët shqiptarë në rast të udhëtimit drejt vendeve të BE-së.

“Të njëjtat procedura që kanë ndjekur deri tani në momentin që hyn në zonën Shengen. Nëse lëviz brenda zonës Shëengen në një numër të caktuar shtetesh do të ketë kontroll të identitetit në kufi nga një shtet anëtar i Shengenit, në një tjetër shtet anëtar të Shengenit, sigurisht nëse ka marrëveshje mes tyre. Aty do t’u kontrollohet pasaporta”, sqaron Dedja.

Top Channel