Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë, në të cilën bëjnë pjesë kompanitë që kryejnë transport udhëtarësh kryesisht me Greqinë, ankohen se janë shndërruar në pre të gjobave mijëra euroshe, si pasojë e ligjit që i detyron të lëshojne biletë shqiptare kur vjen nga Greqia dhe anasjelltas.

Në një takim, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Transporteve, ata kërkuan ndryshimin e ligjit, që në shumë raste, siç shprehen ata, është stimulues i korrupsionit.

“Ka dy vjet që përpiqemi me të gjitha institucionet shqiptare për të ndryshuar një rresht aty, që biletat e udhëtimit nuk mund të jenë shqiptare sepse nuk mund të pritet në Greqi një biletë shqiptare. është e ndaluar me ligj nga ana e grekëve. Shumë operatorë kanë marrë gjoba të panumërta. I kemi paraqitur këto gjoba edhe në organet tatimore. Fatkeqësia është se gjobitemi në Greqi nëse jemi me biletë shqiptare dhe gjobitemi në Shqipëri nëse jemi me biletë greke”, thotë Kujtim Harshova, Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë.

“Me qëllim zgjidhjen e këtij ngërçi, ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Financave për ndryshimin e kësaj pike. Mesa dimë është në proces shqyrtimi. Mesa di unë është bërë gati për të çuar për miratim në Këshillin e Ministrave”, deklaroi Arjan Budo nga Ministria e Transporteve.

Një tjetër problem i shprehur nga shoqatat është ai taksimit të dyfishtë dhe informalitetit për shkak të ofrimit të të njëjtit shërbim nga mjete të palicencuara.

Top Channel