“Receta dixhitale”; Rama: Shpejtësi në shërbim, fund korrupsionit me rimbursimin

19/01/2016 16:30

Në Durrës u prezantua projekti pilot i lëshimit të “recetave mjekësore dixhitale”. “Ky projekt -tha kryeministri Edi Rama- brenda vitit do të shtrihet në të gjithë vendin dhe hap rrugën një transformimi rrënjësor”.

Sipas tij, sigurohet shpejtësia në shërbim, përfshirë shtimin e transparencës në administrimin e fondeve dhe duke i dhënë fund korrupsionit me rimbursimin.

Deklarimet e opozitës për diagnostikimin e hershëm që njihet si “check up” falas, kryeministri i quajti sulme primitive.

“Sulmohet në mënyrën më primitive, më barbare dhe më injorante që është kontrolli mjekësor për grupmoshën 40 dhe 65 vjeç. Sikur të kishim pasur mundësi financiare më të mëdha do ta kishim shtrirë harkun e kësaj grupmoshe edhe më herët, duke pasur parasysh që një sërë sëmundjesh i japin shenjat e tyre edhe më herët”, deklaroi kryeministri.

“Ndërkohë që në të gjithë vendin ka vetëm dy pika për dializën -tha Rama- sulmohemi për partneritetin me privatin për ta shtrirë këtë shërbim edhe në qytete të tjera”.

“Sot me të njëjtin çmim ne kemi mundësi që të ketë qendra për ta marrë pika referimi edhe në Korçë, Shkodër edhe në shumë pika të tjera të Shqipërisë dhe ku është problemi këtu? Pse e bëjmë me privatin? Për një arsye shumë të thjeshtë sepse nuk kemi mundësi financiare të bëjmë investimin e parë, ndërkohë që privati do të bëjë investimin e parë dhe nga ne, nga shteti, nga paratë e taksapaguesve do të marrë po ato lekë”, tha Rama.

Top Channel