Kosovë, Mustafa pret në një takim ish-Sekretarin e NATO-s, Robertson

19/01/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në një takim ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, George Robertson.

Gjatë takimit, Mustafa i shprehu mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.
 
Kryeministri Mustafa theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA e Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, George Robertson.
 
“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli ynë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike si SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera europiane që janë pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga George Robertson”, theksoi kryeministri.
 
Gjatë takimit, Mustafa e ka njoftuar Lordin Robertson për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime europiane si dhe për forcimin e gjithanshëm të shtetit.
 
Po ashtu, shefi i qeverisë kosovare shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera të BE-së, si dhe për vendosmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s.
 
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.
 
Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike. Po ashtu, ai shprehu përkrahje të mëtejshme për progresin në Kosovë.

Top Channel