Robertson në Kosovë: Gazi lotsjellës po dëmton imazhin e vendit

19/01/2016 00:00

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, gjatë vizitës në Kosovë ka vlerësuar se gazi lotsjellës në Parlament dhe protestat antiqeveritare, dëmtojnë imazhin e Kosovës përballë botës së jashtme dhe si të tilla mund të ndikojnë negativisht në proceset integruese të vendit.

“Ju, si votues, duhet të siguroheni nëse politikanët marrin vendimet e duhura. Gazi lotsjellës në Parlament apo demonstratat masive antiqeveritare ndikojnë te përceptimi i jashtëm për Kosovën. Dhe mbajeni mend, mund të jetë bota e jashtme që do të vendosë nëse Kosova do t’i bashkohet Bashkimit Europian, NATO-s apo do të luaj një rol në proceset e tjera të integruese” , tha ai.
 
Këto deklarata, Robertson, ish-Sekretar britanik i Mbrojtjes gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike nga tetori i vitit 1999 deri në janar të vitit 2004, i bëri para studentëve të një kolegji në Prishtinë, ku theksoi se Kosovës, ndër të tjera, i nevojiten ligje të forta kundër korrupsionit dhe sundim të ligjit, në mënyrë që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Europian.

“Shtetet duhet të kualifikohen për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Europian. Nuk është dhuratë apo ndonjë lloj shpërblimi. Duhet të jeni në gjendje të bëni atë që bëjnë shtetet e tjera anëtare. Duhet të kontribuoni dhe kjo nënkupton që ju duhet të keni ngritur forcat e armatosura, një ekonomi mikse, duhet të keni sundim të ligjit, duhet të zbatoni ligje të forta kundër korrupsionit, institucione të qëndrueshme demokratike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Këto janë standardet e vendosura në mënyrë që ju t’i bashkoheni atyre institucioneve”, deklaroi Robertson.

Gjatë ligjëratës, ai zbuloi edhe një fakt mbi prejardhjen e tij, e cila bazuar në analizën e ADN-së që e ka bërë së fundmi, rezulton të jetë me origjinë shqiptaro-greke.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Geroge Robertson, gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa me zëvëndëskryeministrin Hashim Thaçi ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Poklek të Drenasit.

Pasditen e së martës, ish-zyrari britanik është pritur edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila i ka akorduar një çmim, si mirënjohje për kontributin e dhënë në mbrojtje të Kosovës.

Top Channel