Basha: Shëndetësia, në ditën më të keqe

19/01/2016 18:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një postimi në Facebook iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se shëndetësia është në ditën e saj më të keqe.

“Çdo bashkëqytetar që halli e ka çuar në dyert e spitaleve, është ndjerë sot edhe më keq kur ka dëgjuar kokoshin që flet nga një sallë me regji e me audiencë të sjellë me forcë për suksese dhe fitore që nuk i prek askush. E kundërta, shëndetësia është në ditën më të keqe. Sepse shëndetësia e kapi që në fillim për ta kthyer në minierën më të madhe të përfitimeve përmes atij që njihet tashmë si kampioni i korrupsionit, Ilir Beqa. Këto vite, ilaçet humbën sigurinë, spitalet u mbushën me militantë të paaftë, mjekët e talentuar dhe infermierët me përvojë u dhunuan nga një ministër i paaftë, nga një qeveri injorante, e ditur vetëm për të vjedhur”, shkruan kreu i PD-së.

“Mbi 360 milionë euro që mund të ishin investimi historik në shëndetësi u ndanë me klientelën në koncesionet më skandaloze që kanë ndodhur ndonjëherë. 100 milionë euro i dha Edi Rama mikut të tij me një murator për sterilizimin, ndërkohë që spitalet po rrënohen nga çdo mungesë, nga radhët e gjata e nga mallkimet e qytetarëve që nuk gjejnë zgjidhje veçse duke nxjerrë qindarkat e fundit. 120 milionë euro i dha kokoshi dhurueses së tij për “check up”-in që nuk e bën as 20% e popullsisë, por ama paratë e shqiptarëve janë dhënë, janë futur në xhep”, shton Basha.

Top Channel