Koncensionet në shëndetësi, Prokuroria i kërkon MSH-së sekuestrimin e dokumentacionit

19/01/2016 00:00

Rreth një muaj pas nisjes së hetimeve nga njësia “task-force” e Prokurorisë së Tiranës lidhur me koncensionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, burime për Top Channel bëjnë të ditur se mesditen e së martës, prokurorët i janë drejtuar me një shkresë zyrtare dikasterit të drejtuar nga Ilir Beqja për të sekuestruar të gjitha dokumentet e këtyre koncensioneve.

Hetimi i organit të akuzës është fokusuar në tre koncensionet e shumëpërfolura, ai i “Check up”-it falas me vlerë rreth 120 milionë euro, sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe ai për shërbimin e hemodializës me vlerë 86 milionë dollarë.

Të tre këto koncensione janë denoncuar disa herë nga opozita, e cila ka drejtuar gishtin e akuzës direkt mbi ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, si i përfshirë në këto afera, të cilat ajo i cilëson korruptive.

Top Channel