Apeli i BE-së: Reforma, bëjeni tani!

19/01/2016 19:30

Angelina Eichhorst, e dërguara e BE-së për të parë progresin e 5 prioriteteve e në veçanti atë të reformës në drejtësi, në një intervistë për Top Channel tha se “tashmë ne jemi në një pikë kur qeveria dhe të gjitha partitë duhet të marrin vendime për reformën në drejtësi, duke përmbushur pritshmëritë që kanë institucionet në Bruksel”. 

Shqipëria, thekson ajo, kërkon të hapë kapitujt e negociatave: “Është e rëndësishme për të avancuar në të gjitha elementët e dakortësuar, pasi nuk është vetëm reforma në drejtësi, por për momentin kjo është vendimtare”.

Me të dërguarën e Brukselit në Tiranë bisedoi gazetari Muhamed Veliu.

Çfarë synoni të arrini nëpërmjet kësaj vizite në Tiranë?

Qëllimi kryesor lidhet me të parin thellësisht të disa çështjeve vendimtare për momentin mes BE-së dhe Shqipërisë. Tashmë ne jemi në një pikë kur qeveria dhe të gjitha partitë duhet të marrin vendime për reformën në drejtësi, duke përmbushur pritshmëritë që kanë institucionet në Bruksel e kështu për t’ju afruar BE-së. Shqipëria kërkon të hapë kapitujt e negociatave. Është e rëndësishme që për të avancuar, të gjitha elementët e dakortësuar sëbashku me vendet anëtare dhe Këshillin e Europës janë përmbushur. Nuk është vetëm reforma në drejtësi, por për momentin kjo është vendimtare. Unë e kam marrë detyrën shtatorin e vitit të shkuar, duke mbuluar të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vende të tjera, por Shqipëria sot që flasim është me shumë rëndësi për të ecur përpara. Kam biseduar këtu me të gjithë partnerët duke patur takime të mrekullueshme jo vetëm me politikanët, por edhe një grup kërkuesish të rinj, shoqërinë civile, median, përfshi opozitën, ministra të ndryshëm dhe kryeministrin. Për të gjthë pata të njëjtin mesazh: Bëjeni këtë tani!  Sigurohuni që sëbashku jeni dakortësuar. Ju e dini se cilat janë 5 prioritetet që keni përpara, ato të Kopenhagenit janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë për të avancuar. Unioni Europian është i gatshëm, vendet e BE-së janë të bashkuara për t’ju ndihmuar si edhe e kemi bërë. Ky është mesazhi im për Shqipërinë. Këtë moment ndodheni në një moment vendimtar.
 
A jeni të kënaqur me progresin e bërë nga Shqipëria deri më tani në përmbushje të 5 prioriteteve?

Unë i përkas atij grupi njerëzish që thonë se shumë është bërë deri më tani dhe kjo është e rëndësishme për ta vlerësuar. Por, çfarë është e një rëdësie të veçantë është se nëse ka diçka të shkruar në letër dhe kjo është dakortësuar, atëherë duhet zbatuar. Ne besojmë se kjo mund të arrihet nga Shqipëria. Po, ne shikojmë se çfarë është bërë deri më tani, gjë të cilën e bëjmë gjithmonë, por njëkohësisht themi se është e rëndësishme për të shkuar në finish dhe ngjitur një shkallë më sipër.

Si i shikon Brukseli përpjekjet e nisura nga Shqipëria për të reformuar sistemin e drejtësisë?

Nuk është vetëm reforma në drejtësi ku duhet të shënohet progres. Janë edhe hapa të tjerë të cilat duhet të ndërmerren. Për reformën në drejtësi ne shohim se sot propozimet ndodhen mbi tavolinë. Komisioni i Venecias do të sjellë sugjerimet përfundimtare dhe duhet arritur në një mirëkuptim të përbashkët.

Cili është roli BE-së në këtë reformë?

BE-ja si në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor apo në vendet kandidate është e përfshirë për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të cilat duhet të funksionojnë si të pavaruara, me transparencë, për të gjithë qytetarët në Shqipëri. BE-ja ka të gjitha mjetet për të ndihmuar. Reforma duhet të realizohet nga autoritetet. Ne vetëm ndihmojmë duke dhënë ekspertizë, duke adresuar çështjet që duhet të realizohen. Gjithashtu, edhe për t’i ulur aktorët në një tryezë duke i bindur sa mundemi për të patur një qartësi sikurse dhënien e shtysës politike të nevojshme që kjo të ndodhë. Ky është një rol që e kemi kudo si BE, sëbashku me partnerët që duan t’i bashkohen rrugës europiane. Është partneritet intensiv dhe jam e lumtur që këtë partneritet ne e kemi me Shqipërinë.

A ka lidhje të drejtëpërdrejtë reforma në drejtësi në çeljen e negociatave nga Shqipëria për anëtarësim në BE?

Shqipëria kërkon të hedhë hapin drejt negociatave. Për atë, Këshilli i Europës me 28 vende anëtare e ka bërë shumë të qartë çfarë duhet të realizohet. Kriteret e Kopenhagenit, sëbashku me 5 prioritetet si drejtësia, antikorrupsioni, dekriminalizimi pjesë e saj, paketa e administratës publike, pasi këto janë elementët esencial të shtetformimit dhe funksionimit të institucioneve. Këto janë fushat ku ne kërkojmë të ketë përparim.

Kemi parë ambasadoren tuaj në Tiranë, Romana Vllahutin, sëbashku me ambasadorin amerikan Donald Lu shumë aktivë këto kohë për reformën në drejtësi, aq sa është krijuar përshtypja se reforma në drejtësi është e ndërkombëtarëve, jo e shqiptarëve. A është ky një perceptim i drejtë?

BE-ja është duke ndihmuar. BE-ja ka parashtruar se cila është rruga e duhur për t’ u ndjekur. Udhëheqja shqiptare është ajo që duhet të marrë vendimet që kjo të bëhet. Ne jemi shumë të përfshirë me një qëllim. Reforma të përfundojë. Siç e thatë, ambasadorja është shumë aktive në këtë front, e mbështetur nga të gjithë vendet anëtare. Jemi totalisht të unifikuar në përqasjen që kemi ndërmarrë. Të gjithë kemi një mendim. Ky është momenti që duhet të shfrytëzohet nga Shqipëria. Shtetet e Bashkuara tërësisht të përfshira që do të thotë se keni një komunitet ndërkombëtar të bashkuar në këtë moment të rëndësishëm për të ecur përpara.

Çfarë shqetësimesh keni përsa i përket mënyrës si po realizohet reforma në drejtësi deri më tani?

Ne gjithmonë kemi shqetësime. Sepse ju duhet të siguroheni që njerëzit e kuptojnë çfarë është e nevojshme dhe njerëzit reagojnë ndaj premtimeve të dhëna. Në të njëjtën kohë plotësojnë dëshirat e popullit shqiptar. Kështu nuk duhet të ulemi e të biem rehat se gjërat do të ndodhin. Jo. Shqetësimi ynë është konstruktiv, përfshirës, duke ndihmuar kështu me aq mundësi sa kemi për të avancuar.

Top Channel