Kur Facebook përdoret për të publikuar poezitë

19/01/2016 00:00

Ai është një poet jo si të tjerët. Elhaid Cufi prej dy vitesh shkruan poezi në Facebook duke arritur sot mbi 26 mijë ndjekës virtual pa përmendur 20 mijë ndjekësit në Instagram.

Djaloshi nga Shkodra nuk e kishte menduar se pasioni për të shkruar mund t’i jepte kaq popullaritet. Thëniet e Elhaidit shpërndahen nga njëra llogari në tjetrën.

Njerëz të njohur e të panjohur gjejnë veten në shumicën prej tyre, gjë që e ka bërë Elhaidin fenomenin e poezive të ndjera apo thënieve për jetën.

“Jam atlet vargjesh, i gjetur, i humbur në mes një bote të bardhë prej letrash e rreshtash”, shkruan ai për veten. “Për momentin banoj në mendime të pa gjetura, pa rrugë as të paditura si një emër, e adresa të sakta, jetoj diku ku nuk jam me trup ashtu si pjesa më e madhe e njerëzve që jetojnë në mend e trupin e përdorin për të jetuar si njerëz normal”, në të tilla mendime jeton Elhaidi, mes poezive dhe fansave virtual.

Ëndrra më e madhe e tij? Pret me padurim që një ditë të botojë librin e parë, por deri atëherë lexuesit mund të vazhdojnë ta ndjekin në Facebook, aty ku popullariteti i djaloshit shtohet dita-ditës.

Top Channel