Rifuziqimi i UNMIK, Kuçi: Nuk ka për të ndodhur

19/01/2016 00:00

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi tha se UNMIK-u e ka përfunduar mandatin në Kosovë në vitin 2008 dhe pjesa e mbetur e këtij institucioni ndërkombëtar duhet të shpërbëhet.

Sipas tij, në Kosovë duhet të ketë zyrë të OKB-së si në çdo vend tjetër. Ky ishte reagimi i ministrit të Drejtësisë pasi mediat në Kosovë thanë se pritet që në qershor të këtij viti të bëhet rikthimi i kompetencave për sundimin e ligjit nga EULEX-i tek UNMIK-u.

Sipas mediave, kjo do të ishte dërrmuese për Kosovën dhe institucionet janë të vetëdijshme për këtë fakt, por heshtin, pasi kanë frikë të pranojnë disfatën për t’u legjitimuar si shtet.

Por, këtë e mohoi ministri Hajredin Kuçi përmes deklaratës së tij, që në fakt është reagimi i parë zyrtar i autoriteteve për këtë çështje. Sipas tij, nuk do të ketë asnjë mandat shtesë dhe çdo transferim kompetencash në fushën e drejtësisë nga EULEX-i duhet dhe do të bëhet tek institucionet vendore dhe tek askush tjetër.

Top Channel