“Fiks Fare”, mbi 40% e shkollave publike të Tiranës, pa ngrohje

19/01/2016 00:00

Më shumë se 40% e shkollave publike në kryeqytet nuk kanë sistem ngrohjeje, duke bërë që procesi mësimor të zhvillohet në kushte të vështira. Ulja e temperaturave këto ditë ka bërë që ngrohtësia e kaldajave të mos ndihet shumë edhe në shkollat që e kanë të instaluar. Për këtë arsye, shumë nga shkollat kanë shkurtuar orët mësimore.

Më ndryshe paraqitet situata në çerdhe dhe kopshte. Në mungesë të sistemeve të kaldajave, kryesisht në kopshte, ngrohja bëhet me priza duke shfrytëzuar në maksimum energjinë elektrike.

Por, kjo ka sjellë të tjera problematika. Rrjeti energjetik ngarkohet dhe jo në pak raste, shkëndija elektrike ka shkaktuar zjarr duke rrezikuar jetën e fëmijëve. Një rast i tillë ndodhi në Kopshtin nr. 45 të Tiranës, ku pas një shkëndije elektrike fëmijët u evakuuan menjëherë, ashtu sikurse edhe punonjësit.

Në vitin 2013, për kthimin e kaldajave nga djegie me naftë në kaldaja me pellet, do të punonte Drejtoria Nr. 3 e Puëntorëve të Tiranës. Këto punime përfshin përpos përshtatjes së elementëve, edhe mirëmbajtjen në vazhdim. Kostoja ishte rreth 110 milionë lekë të vjetra.

Ky financim dështoi që në përfundim të projektit në vitin 2014, ku shumica e këtyre kaldajave dolën jashtë funksionit për shkak të ngrohjes së pakët apo asfiksisë nga tymi që çlironin nga djegia, madje në disa raste ka pasur edhe shpërthime të kaldajave.

Sot Bashkia e Tiranës gjendet në kushtet e një investimi të ri, pasi për shkak se i pari dështoi, kaldajat do të kalojnë sërish në sistemin e djegies me naftë.

Top Channel