Konferenca e Donatorëve, Veliaj paraqet 110 projekte për Tiranën

20/01/2016 09:55

Në prani të partnerëve ndërkombëtarë dhe kombëtarë, kreu i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj ka prazantuar mbi 110 projekte të rëndësishme për kryeqytetin për të cilat kërkohen financime.

Veliaj tha se Tirana ka një buxhet të pamjaftueshëm për të kryer ndërhyrje të rëndësishme, të cilat mund të kryhen nëse realizohet partneriteti mes publikut dhe privatit.

“Nga projektet që do të prezantohen sot kanë të bëjnë me parkingjet publike të cilat duam t’i bëjmë me një partneritet publiko-privat, ashtu siç kemi filluar dhe duam të ngrejmë rreth 10, 11 të tilla. Do të flasim për atë që quhet rrjeti minimal i korsimeve të biçikletave, nuk mjafton një pilot që kemi nisur në hyrje të Tiranës pasi kemi ambicie që ta shtrijmë këtë rrjet në të gjithë Tiranën. Ne do të ndërtojmë dy terminalë të autobusëve për të cilat jemi të hapur për partneritet publiko-privat. Ne duam gjithashtu që të përmirësojmë shërbimet në Tiranë. Disa nga projketet kanë të bëjnë me fuqizimin dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit për “one-stop-shop”-et e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, tha se resurset natyrore të vendit janë dëmtuar rëndë dhe se rikuperimi i tyre kërkon para’ dhe kohë. Rama tha se një pikë ku kërkohet ndërhyrja është furnizimi me ujë pa ndërprerje jo vetëm i qytetarëve, por edhe i tokave bujqësore.

“Duke transformuar tërësisht strukturën shumëvjeçare dhe të falimentuar të ujësjellsëve dhe duke e kthyer atë në një strukturë e cila të funksionojë me konceptin e ndërmarrjeve dhe jo më si një strukturë prapavijë e partive politike dhe duke i mbështetur bashkitë që të ketë flotat e tyre për të bërë të mundur atë që ka mbi 20 vite, me gjithë shpenzimet kolosale dhe paratë e pa fundme që janë dhënë nga donatorët, nuk është bërë e mundur që në Shqipëri çdo tokë buke të ketë kanalin e ujit dhe atë kullues. Financimi mbetet një sfidë e madhe, por unë kam besuar dhe besoj që rruga jonë është ndërtimi i partneriteteve më privatët”, tha Rama.

“Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka shumë punë për të bërë që të arrijë gjysmën e standardit europian përsa i takon furnzimit me ujë por edhe kanalizimeve, pra është një sfidë e madhe që duhet trajtuar. Këtu ka shumë nevojë për investime, sikurse tha edhe kryetari i bashkisë financimi i dobët i bashkive është një sfidë e madhe”, u shpreh drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellan Goldstein.

Kryebashkiaku Erion Veliaj është mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë të cilët janë shprehur të gatshëm të asistojnë në këto projekte.

Top Channel