Berat Gjimshiti: E dashura serbe më kërkoi kostumin kuqezi

20/01/2016 00:00

Berat Gjimshiti do të ketë një tifoze speciale jo vetëm gjatë ndeshjeve që do të luajë me ekipin e ri, Atalantën, por edhe gjatë ndeshjeve të kombëtares shqiptare në finalet e Europianit. “Alisa ma ka kërkuar vetë fanellën kuqezi, kështu që e ka një kostum sportiv të Kombëtares. Mendoj se i duket bukur”,- ka thënë ai në një lidhje telefonike për programin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel”.

I pyetur nëse ka ndonjë plan të afërt për martesë, me bukuroshen serbe Alisa Menkoviç, ai ka nënvizuar: “Për momentin nuk e mendoj martesën, sepse jam ende i ri. Ua kam prezantuar Alisën edhe familjarëve të mi prej kohësh dhe ata e pëlqejnë”.

Prej vetëm pak ditësh, Berat Gjimshiti është zyrtarizuar tek ekipi i Atalantës, në Serinë A, duke u larguar nga ekipi i Zyrihut ku është rritur dhe ka realizuar mbi 100 ndeshje. A është ky një hap i rëndësishëm për karrierën e 22-vjeçarit, dhe sa do të ndikojë në debutimin e tij në finalet e Europianit?

“Atalanta është një klub në Serinë A dhe përpos të tjerave, me emër në Itali. Mendoj që jam shumë mirë këtu. Si fillim, objektivi im është që të luaj sa më shumë ndeshje me Atalantën dhe të arrijmë sa më shumë fitore! Shpresoj të bëj paraqitje të mira që t’i tregoj çfarë di të bëj edhe De Biazit”.

I pyetur për shokët e kombëtares kuqezi, kundër të cilëve do të luajë në kampionatin italian, Berati ka thënë: “Në fushë do të jemi kundërshtarë. Pra, kur të filloj ndeshja ata janë kundërshtarë si gjithë të tjerët, pas ndeshjes mund të flasim si shokë”- ka thënë Gjimshiti, djaloshi me origjinë nga Presheva.  

Top Channel