Sherr Mancini-Sarri, napoletani rrezikon 4 muaj pezullim

20/01/2016 00:00

Interi siguroi një biletë për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, por incidenti që ndodhi në fund të takimit mes trajnerëve të të dyja skuadrave, Mancinit dhe Sarrit, la në hije rezulatin në fushë.

Pas ndeshjes, Mancini lëshoi akuza të ashpra në drejtim të trajnerit të Napolit, duke thënë se ai është racist, pasi e kishte ofenduar me fraza homofobe.
 
“Sarri nisi të më ofendonte me fraza homofobe. Persona si ai nuk mund të qëndrojnë në futboll sepse kështu situata nuk do të përmirësohet kurrë. Pyeta gjyqtarin e katërt përse akordoi 5 minuta shtesë dhe Sarri më sulmoi verbalisht. Është një racist dhe duhet ti vijë turp nga vetja. Gjyqtari i katërt i dëgjoi të gjitha, por nuk bëri asgjë”, tha Mancini.

Megjithatë, duket se trajneri i Napolit ka kuptuar gabimin dhe i ka kërkuar falje Mancinit, por ai këmbëngul se një trajner si Sarri, që ofendon në atë mënyrë, nuk do të kishte vend në futbollin anglez.

“Shkova ta takoja në dhomat e zhveshjes dhe më kërkoi falje. Ndjesa nuk shërben, Sarrit duhet ti vijë turp. Në moshën 60-vjeçare nuk mund të sillet në këtë mënyrë. Nëse do të ishim në Angli, një person i tillë nuk do të shkelte më në fushat e futbollit”, vijoi ai.

Por, ndoshta Mancini ka të drejtë dhe ndjesa nuk do të vlejë, pasi mediat italiane shkruajnë se vetëm disa orë pas ndeshjes është hapur një hetim për këtë incident.

Sipas rregullores, e cila është shumë e ashpër në raste të tilla, aq me tepër me trajnerët, Sarri rrezikon shumë. Napoletani mund të pezullohet për katër muaj si dhe me një gjobë që shkon nga 15 deri në 30 mijë euro. Megjithatë vendimi do të varet shumë nga raporti i gjyqtarit të ndeshjes.

Top Channel