Rey Manaj: Duhet të punoj, modeli im është Ibra

20/01/2016 12:30

Portali goal.com në versionin italian çdo vit përpilon listën e 50 futbollistëve të rinj më të mirë. Këtë e bëri edhe për vitin 2015, ku spikat emri i Rey Manajt, sulmuesit 18-vjeçar të Interit, i renditur në vendin e 32-të. Ky i fundit, në një intervistë për këtë portal, deklaroi se ka ende shumë punë për të bërë, pavarësisht këtij vlerësimi.

“Jam i kënaqur për këtë vlerësim, por ky aspekt nuk duhet të jetë objektivi kryesor i një futbollisti. Duhet të vijoj punën për t’u përmirësuar akoma më shumë“, tha Manaj.

Sulmuesi shqiptar është në sezonin e tij të parë te skuadra kryesore e Interit dhe 18-vjeçari deklaroi se të gjithë po e ndihmojnë në punën e tij, ndërkohë që shtoi se modeli i tij është Zlatan Ibrahimovic.

“Nuk kam model të veçantë, por shumë shembuj pozitivë. Kam shokët e skuadrës me të cilët jam krenar që punoj. Të gjithë më qëndrojnë shumë pranë dhe më ndihmojnë, madje shpesh bëjmë edhe shaka e qeshim. Nëse do të më duhet të zgjedh një model frymëzimi, atëherë them se ai është Ibrahimovic. Kur isha fëmijë e shihja tek luante me Interin dhe tani unë vesh të njëjtën fanelë“, u shpreh Manaj.

Top Channel