Takimi tripalësh në Tiranë, bisedime mes shefave të diplomacisë të Shqipërisë, Italisë e Serbisë

20/01/2016 12:50

Është zhvilluar sot në Tiranë takimi i dytë trepalësh Itali-Shqipëri-Serbi në nivel të ministrave të Jashtëm. Shefi i diplomacisë italiane, Paolo Gentilioni dhe ai serb, Ivica Daçiç, kanë mbërritur këtë paradite në kryeqytetin shqiptar, ku janë pritur nga homologu i tyre Ditmir Bushati.

Përpara takimit trepalësh, ministrat kanë zhvilluar takime dypalëshe. Takimin e parë Ditmir Bushati e zhvilloi me homologun italian, me të cilin përveç axhendës europiane të Shqipërisë, u diskutuan edhe masat për përaballimin e krizës së refugjatëve si dhe koordinimi më i mirë në përgjigje të sfidave të sigurisë.

Dy ministrat u ndalën në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ku ministri gjeti rastin t’i rikujtojë homologut italian angazhimin e ndërmarrë për heqjen e taksës së transportuesve.

Ky ishte premtimi i kryeministrit italian gjatë vizitës në Tiranë, por që nuk është realizuar edhe nga qeveria e këtij vendi.

Me homologun serb, ministri Bushati ripërsëriti nevojën që Serbia t’i përmbahet realizimit të marrëveshjeve të rëna dakord mes dy vendeve, gjatë takimeve të dy kryeministrave.

Serbia dhe Shqipëria patën rënë dakord në parim për marreveshje ekonomike, marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, si dhe atë në arsim. Por, deri më tani çështjet e dakordësuara me palën serbe, nuk janë realizuar ende, çka takimi me homologun e këtij vendi i dha mundësi ministrit të Jashtem të rikujtojë nevojën e konkludimit të marrëveshjeve të rëna dakord.

Takimi i tre vendeve është një nismë e Italisë, ndërrmarrë një vit më parë. Ky është takimi i dytë, pas atij në Romë që Italia organizoi me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të njohura për marrëdhënie historike të vështira.

Si dy vende aspirante për anëtarësim në BE, Italia pa nevojën e negociimit për intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbiëe duke u bërë nismëtarja e takimeve tre palëshe.

Top Channel