Vokshi: Prokuroria të hetojë Beqajn, KLSH gjeti shkelje

20/01/2016 13:10

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke vënë theksin në inspektimin e KLSH-së.

Deputetja demokrate, Albana Vokshi tha se KLSH ka kapur një sërë shkeljesh me një dëm miliona lekë ekonomik në institucionin e Fondit të detyrueshëm shëndetësor që mbikqyret drejt për drejtë nga Beqaj, në cilësinë e kryetarit të bordit.

“Inspektorët e KLSH kanë kapur një dëm ekonomik në vlerën 5 milionë lekë në zërin rregullim makinash. Dëmi ekonomik me karburantin është 10 milionë lekë. 51 milionë lekë është dëmi nga dietat për udhëtime jashtë vendit, me fatura të parregullta dhe fotokopje. 25 milionë lekë është dëmi i konstatuar në blerje kancelarie. 5 milionë lekë janë shpenzuar për kokteje dhe darka me muzikë live, dhe lloj lloj ahengjesh. Ja pra si qeveriset ky institucion i kësaj qeverie, që mbikqyret drejtpërdrejt nga Ilir Beqaj. Qindra milionë lekë të abuzuara që përfundojnë në xhepat e qeveritarëve me një babëzi skandaloze, me një hyxhym se kush të gllabërojë më shumë”, tha Vokshi.

Top Channel