Opozita në Prishtinë bojkoton komisionin për arsim

20/01/2016 14:15

Opozita kosovare e ka bojkotuar edhe mbledhjen e parë të këtij viti, të komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

Kryetari i këtij komisioni, nga Partia Demokratike e Kosovës, Nait Hasani, tha se për shkak të rrethanave në muajt e fundit, kanë mbetur disa ligje të vitit të kaluar, të cilat është dashur të shqyrtohen, ndaj ai bëri thirrje që të gjithë t’i kthehen sa më parë punës.

“Në komision, edhe atëherë kemi kërkuar që të pakten këtu të bëhet debati i ligjit, shqyrtimi, t’i iket anshmërisë të partive. Në kuvend është fusha ku debatohet, mbrohen qëndrimet e partive, është fushë politike, por këtu të pakten ta kemi fushën e ligjeve profesionale përmes ekspertëve, sepse ligjet nuk bëhen për një parti ose individ, por për një shoqëri të caktuar”, tha Nait Hasani, kryetar i komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

Derisa qeveria të sjellë një strategji të fushëveprimit në komision, kryetari Hasani tha se janë tri projektligje për të cilët mund të vazhdohet puna, projektligji për sponzorizimin në sport, për dhunën në sport dhe profesionet e rregulluara.
Anëtari i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Salih Morina, kërkoi që nga ministria e arsimit të sillet edhe ligji për njohjen e përvojës së punës së mësimdhënësve për vitet e 90-të.

“Ndoshta nga ministria e arsimit do të kërkonim të sillet edhe ligji për njohjen e stazhit të punës i viteve 1989- 1999. Do të ishte me prioritet sepse mendoj që edhe qeveria e ka cilësuar ashtu, por kjo mbetet që ministria e arsimit ta sjellë në fazën e parë të legjistraturës së parë”, tha Salih Morina, anëtar i komisionit, LDK.

Në këtë mbledhje e pranishme ishte edhe Besa Shahini nga organizata GIZ, e cila ka monitoruar zbatimin e ligjeve të miratuara në 5 vitet e fundit. Shahini kërkoi nga komisioni që të ftojë drejtoritë rajonale të arsimit në një takim të përbashkët për të diskutuar lidhur me arsimin parauniversitar.

Top Channel