Raporti i FMN, Luan Rama: Rreziku financiar, sirenë alarmi. Qeveria të reagojë

20/01/2016 14:25

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon një reagim zyrtar të qeverisë shqiptare për raportin më të fundit të FMN-së, për transparencën fiskale. Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Luan Rama, partia në bashkëqeverisje kërkon të merren me seriozitet qëndrimet e FMN, pasi sa herë që ka ndodhur e kundërta, ka pasur situatë krizash.

“Sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e FMN jemi ndeshur me fenomene krizash, apo situata të pakëndshme të zhvillimit ekonomik. Të reflektojë me seriozitet, përgjegjshmëri, të lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë siç është shkruar raporti, dhe më lejoni të them që nuk e teproj, madje duhet lexuar më me seriozitet dhe konsistencë ndoshta dhe se sa rekomandimet e Komisionit të Venecias. Mirëqeverisja, impaktin e parë duhet ta krijojë tek cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë, të ardhurat e familjeve shqiptare, dhe tek ofrimi i shërbimit që e bën këtë jetë të denjë dhe e përafron me standardet e vendeve anëtarë të BE”, deklaroi Rama.

LSI, tha Rama, ofron të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin ndaj vërejtjeve të bëra nga raporti i FMN. Rreziku financiar është sirenë alarmi që kërkon reflektim të përgjegjshëm e konkret.

Raporti i FMN-së paralajmëron qeverinë shqiptare që të bëjë kujdes me koncesionet. Rama tha se partneriteti publik-privat është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por privatët përveçse përfitues duhet të jenë dhe kontribues në ekonomi.

Top Channel