Kili, largohet trajneri Jorge Sampaoli

20/01/2016 14:50

Jorge Sampaoli nuk do të jetë më trajner i Kilit. Tekniku argjentinas më në fund arriti marrëveshjen me Federatën Kiliane të Futbollit pas tensioneve të shumta që u shfaqën mes tyre. Sampaoli, i cili udhëhoqi Kilin në fitoren e Kupës së Amerikës në vitin 2015, e kishte kërkuar prej kohësh largimin nga detyra e tij, por problemi në këtë pikë ishte klauzola që ekzistonte në kontratën e tij në rast se ky largim do të ishte i parakohshëm.

Sipas asaj që publikohet në median kiliane, Sampaoli do të paguajë për llogari të Federatës një dëmshpërblim 600 mijë deri në 1.2 milionë dollarë, ndërkohë që kontrata e tij me federatën skadon në vitin 2018. Kjo shifër është praktikisht shumë më e ulët se ajo që ishte në klauzolë, 6.3 milionë dollarë.

Sampaoli vendosi të largohet nga pankina e Kilit pas skandalit të korrupsionit që përfshiu edhe federatën kiliane. Argjentinasi deklaroi se e kishte të vështirë të punontë në këtë klimë të krijuar nga ky skandal. Në muajin nëntor, Sergio Hadue dha dorëheqjen si president i Federatës për t’u ekstraduar në SHBA, ku do t’i përgjigjet akuzave për korrupsion.

Një tjetër arsye që Sampaoli kërkoi largimin e tij nga pankina e Kilit është edhe zbulimi në media i disa detajeve të kontratës së tij me federatën, gjë që solli edhe pakënaqësi të mëdha te argjentinasi.

Me largimin nga përfaqësuesja e Kilit, Sampaoli është i lirë të studiojë alternativa të tjera për të vijuar karrierën. Së fundmi, emri i tij po përmendet në ambientet e disa klubeve të rëndësishme evropiane, mes të cilave është edhe Chelsea.

Top Channel